Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit një operacion të gjerë për arrestimin e personave të dyshuar cilët kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrah organizatave të shpallura terroriste (ISIS dhe Al-Nusra). Operacioni është ndërmarrë duke vlerësuar rrezikun dhe rëndësinë për sigurinë nacionale, mbrojtjen e rendit kushtetues, ruajtjen e rendit dhe ligjit si dhe në frymën e ruajtjes së respektimit të të drejtave të secilit person të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë aksion policor janë arrestuar 40 persona nën dyshimin se kanë kryer vepra penale. Në cilësinë e provave materiale, të ndaluarve u janë konfiskuar materiale inkriminuese lidhur me veprat për të cilat dyshohen këta persona, duke përfshirë mjete eksplozive, armë dhe municion të kalibrave të ndryshëm si dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me rastin. 40 të arrestuarit vijnë nga Prishtina, Gjilani, Ferizaj, Prizreni, Peja dhe Mitrovica. Nga prokuroria e Kosovës njoftuan se personat e arrestuar janë përcjell që dy vite dhe se hetimet janë më të gjera dhe do të vazhdojnë në pista tjera dhe tek personat tjerë. Aksioni është realizuar pa incidente, pos në dy raste ku familjarët kanë penguar të kryhen procedurat. Ndërkaq, shumica e familjarëve kanë bashkëpunuar dhe e kanë mirëpritur këtë veprim të Policisë. Mediat në Kosovë raportojnë se prokuroria do të jetë në gatishmëri për zbatimin e ligjit dhe kushtetutës pa marrë parasysh karakterin e veprave penale. Kurse për 40 te arrestuarit ne mëngjesin e sotëm të cilët dyshohen se kanë marr pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, pritet të caktohet masa e paraburgimit dhe se ky numër nuk është përfundimtar.
Aksionin e ka përshëndetur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
‘Presidentja Jahjaga vlerësoi se qëllimi i operacionit - përmes të cilit u bë ndalimi i një numri të madh të dyshuarve dhe u bastisën shumë lokacione në nivel vendi, duke penguar veprimtari ilegale që ka për qëllim inkuadrimin e qytetarëve të Kosovës në kauza terroriste - është që të sigurohet një Kosovë e lirë, e sigurt, e qetë dhe tolerante, e zhveshur nga terrorizmi dhe kriminaliteti, dukuri këto që po nënçmojnë traditën tonë të gjatë të tolerancës fetare dhe janë në kundërshtim të plotë të vlerave dhe idealeve mbi të cilat ndërtuam shtetin tonë”, thuhet në komunikatën e Presidences.
Për arrestimin e 40 personave është prononcuar edhe kryeministri në largim i Kosovës Hashim Thaçi. Në postimin e tij në Facebook ai potencon se janë të vendosur që ta ndalin, siç e quan ai, këtë të keqe dhe se nuk do të ndalen me kaq. “E ritheksoj se Kosova nuk do të jetë tokë e plleshme për armiqtë e vlerave Euro-Atlantike të Kosovës, të drejtat e njeriut, liritë e plota fetare dhe sistemin kushtetues sekular”, shkruan Thaçi
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se ka informata që këta indoktrinohen qoftë përmes rrjeteve sociale dhe se ka dyshime që financimin e bëjnë shërbimet sekrete të vendeve që nuk ia duan të mirën Kosovës Ai tha se pret nga Bashkësia Islame dhe të gjithë të tjerët të cilët në një mënyrë ose jo janë të lidhur me kultivimin e fesë, që t’i shikojnë radhët dhe që aty ku ka elemente, imamë që devijojnë, dalin jashtë mënyrës së kultivimit të fesë tonë, të ndërmarrin masat e duhura.